Biljana Gavriq – Novi Sad
Quhem Biljana Gavriq, jam 33 vjeçe dhe jetoj në Novi Sad. Zyrtarisht jam drejtoresha e prodhimit në kompaninë Ninamedia dhe jozyrtarisht jam gazetare, menaxhere e projektëve, organizatore e ngjarjeve, producente…
Para pesë vite e gjysëm kam shkuar në Kosovë për herë të parë në të ashtuquajturin “Vendbanim i kontejnerëve”. Në njërin prej 24 kontejnerëve, të cilët kanë 12 metra katrorë, jetonte atëherë familja Virijeviq – burri, gruaja, dhe gjashtë fëmijë. Sapo pashë kushtet në të cilat jetojnë, dëshiroja ta ndryshoja këtë, dhe momenti kyç ishte kur Llazari, në atë kohë një nxënës i klasës së tetë, erdhi nga shkolla i zemëruar sepse ishte tashmë fundi i shtatorit, dhe ai nuk i kishte librat për klasën e tetë. Praktikonte matematikën dhe informatikën në shkollë, sepse nuk kishte kompjuter.
Më kujtohet se i kam thënë lamtumirë atyre, dhe vetëm i kam thënë që do të kthehem. Sapo arrita në Novi Sad pyeta drejtorin nëse mund të marr kompjuterin zyrtar me vete për të punuar në shtëpi, sepse dua ta dhuroj kompjuterin tim një nxënësi në Graçanicë. Nuk më lejoi, por bleu një laptop të ri për Llazarin. Kryetari i Novi Sadit nuk më lejoi t’i blej librat për Llazarin, ai personalisht i bleu ato. E pra, atëherë kuptova se njerëzit duan të ndihmojnë, dhe vendosa të organizoj aksionin humanitar për të mbledhur ndihma edhe për pesë fëmijët e tjerë, por edhe për prindërit e tyre. Pas një muaji u ktheva në Graçanicë me libra, laptop, pajisje shkollore, rroba, ëmbëlsira, para për ngrohje…
Kështu filloi e gjitha. Rreth 15 vite më parë, kur mbaroja shkollën e mesme, kuptova se dija shumë pak për vendet e Ballkanit dhe pastaj me iniciativën time shkova në një “turne”, për t’u njoftuar me vendet dhe njerëzit që na rrethojnë nga një kënd tjetër, një kënd më pak turistik. Kështu fillova atë vit ekskursionin në Slloveni, atëherë vet organizova rrugën time në Kroaci, pastaj në Mal të Zi, etj. Kanë mbetur shumë vende në hartën time për t’i vizituar, por eci me trok pikërisht sepse pas herës së parë, u ktheva në Kosovë edhe 10 herë të tjera. Çdo vit të paktën dy herë vizituam familjen Virijeviq, dhe i sollëm ndihma atyre, organizuam çdo vit shprëndarjen e dhuratave, sollëm ndihmë në Shtëpinë e Rinisë në lagjen Padallishte. Brenda premierës së filmit “Mundësia e mallkuar e zgjedhjes” organizuam një aksion humanitar për çdo fëmijë që mori pjesë në film. Çdo vit jam pjesë e aksionit “Me gjithë zemër për buzëqeshje të fëmijës” të organizuar nga Shoqata Qytetare “Novi Sad”, ku 40 fëmijë nga Kosova janë mysafirë në Novi Sad për një javë. Disa herë dhuruam vetëm ilaçe, nganjëherë vetëm para për ngrohje dhe ushqim. Nuk kam të dhëna të sakta, kurrë nuk i kam shkruar. Kur e kuptova se sa e mrekullueshme është ndjenja kur mund të bësh dikënd të lumtur, fillova të jem më e përfshirë në veprime humanitare, por inicioj dhe vet dhe organizoj shumë prej tyre.
Dhe sot, ndihmoj individualisht disa njerëz kurdo dhe sa më shumë që mundem. Kur vendosni të ndihmoni dikë, nuk duhet të prisni asgjë në këmbim. E bëni këtë sepse dëshironi apo thjesht nuk e bëni atë. Nuk kam plane afatgjate dhe konkrete për të ardhmen. E di se do të vazhdoj të bëj punë humanitare sa më shumë dhe kur të mundem. Është planifikuar të fillohet një aksion humanitar për komunën e Graçanicës, për të cilën unë jam e lidhur personalisht. Përkatësisht, në atë komunë nuk ka asnjë palestër apo qendër fitnesi në të cilën të rinjtë mund të stërviten. Aktualisht jam duke menduar për një projekt të madh për të ndihmuar shkollat në Kosovë, por, për këtë do flasim më vonë.