Katarina Kunçek – Erdevik
Quhem Katarina Kunçek, jam e lindur dhe jetoj në Erdevik, por me origjinë jam sllovake. Jam pronarja e bujtinës “Keti” për rreth 10 vite. Te unë ishin mysafirë njerëz nga Italia, Sllovakia, Polonia, Danimarka, Gjermania, Kroacia… nga Beogradi, Prijedori, Bori, Zajeçari, Novi Sadi, Kikinda, Ingjija, Ruma… Mysafirët ishin nga të gjitha viset e Serbisë.
Këta janë njerëzit që më së shumti na kanë gjetur neve në internet dhe kanë dëshiruar ta ndiejnë këtë turizëm rural. Erdeviku është i famshëm për liqenet tona: Moharaç, Bruje dhe Liqeni romak me ujë që ka veti shëruese për të cilin erdhën shumë vizitorë. Ka pasur edhe të huaj që kanë kaluar kohën e tyre në Beograd, kështu që kanë ardhur këtu për të kaluar natën dhe për të parë fshatin. Shumë njerëz kanë ardhur për punë sezonale. Erdeviku është një nga vendet më të bukura në komunën e Shidit. Të shtunën e parë në muajin e gjashtë kemi Kulenijadën, dhe gjithashtu kemi Shpërfytyrimin në gusht. Ka kryesisht serbë, dhe përveç tyre ka edhe sllovakë, hungarezë, polak, romë, ruten. Kemi edhe një kishë sllovake, dhe në rrugën tonë ka kryesisht sllovakë. Kurrë nuk kemi pasur ndonjë problem për shkak të shumëkombësisë, problemi i vetëm është papunësia e lartë, kështu që mjaft sllovakë janë larguar për punë në Sllovaki. Jam optimiste, besoj se do të kthehen me kohë. E tash, kush mbijeton, do të tregojë.
Dikur në Erdevik punohej shumë – kishte prodhim të humulusit, vreshtari, kishte ku të fitoje para. Shpresoj që gjërat do të shkojnë për të mirë. Flitet serbishtja dhe sllovakishtja, dhe në shkollë fëmijët mësojnë gjuhën ruse dhe angleze. Pavarësisht nga besimi, të gjithë shoqerohemi bukur. Gjithmonë kemi ndihmuar njëri-tjetrin, pa marrë parasysh se dikush është serb, dhe unë sllovake. Njerëzit e kombësive të ndryshme martohen mes veti. Dhe unë isha e martuar me një serb. S’ka rëndësi kjo, kur dikush bie në dashuri, kështu është. Dashuria nuk njeh fe dhe kombësi.